Eden Hazard është ndër futbollistët më të lumtur të Çelsit nga firma e Zhoze Murinjos me këtë skuadër. Talenti belg shpreson që të përmirësohet më shumë nën drejtimin e portugezit, duke u kthyer në një prej lojtarëve më të mirë në Evropë, duke iu afruar niveleve të Mesit e Kristiano Ronaldos. Jo rastësisht, ai ka paralajmëruar të gjithë rivalët e Çelsit se tani duhet të dorëzohen përballë kësaj skuadre.
“Çdo vit po përmirësohem duke u bërë më i mirë, por dua të bëhem më efektiv. Ëndrra ime është të shënoj 50-60 gola në sezon, si Mesi apo Ronaldo. Ata kanë treguar se një gjë e tillë është e mundur, ndoshta unë mund të bëj të njëjtën gjë”, tha mesfushori belg.
Sipas tij, prania e Murinjos në stërvitje do të jetë shumë e veçantë ndaj po pret me padurim të vihet nën urdhrat e trajnerit portugez.
“Ai është një trajner mistik, për të cilin flitet gjithmonë. Do të jetë një kënaqësi e veçantë të kem një trajner si ai, sidomos për faktin se të gjithë mendojnë se do të jetë një gjë e mirë për mua. Sigurisht që në ditën e parë mund të jem pak i frikësuar, pasi në fund të fundit ai është Murinjo. Por pas kësaj përshtypje të parë, do të kthehet thjesht në trajnerin tim. Mos harrojmë se është një qenie njerëzore me dy duar e dy këmbë. Por tani klubi do të hyjë në merkato fuqishëm, ndaj duhet të vazhdoj të jap gjithmonë 100% sepse askush nuk e ka vendin e sigurt”, paralajmëroi Hazard, i cili ka qenë ndër zbulimet e sezonit në Angli. (LajmeShqip.com)
Friday, 07 June 2013 08:07