Marek Hamshik mund të jetë blerja e radhës e skuadrës së PSZH, që po mundohet të marrë një tjetër lojtar nga Napoli, pasi ka realizuar me sukses blerjen e Ezekuiel Lavecit nga skuadra italiane.
Sipas asaj që bën të ditur “Le10sport”, mesfushori ofensiv shihet si përforcimi më i mirë i mundshëm për parisienët, që mendojnë se sllovaku do të përshtatej lehtësisht me skuadrën, në kundërshtim me atë që ka ndodhur me Pastoren, zhgënjimi më i madh i merkatos së këtij klubi.
Ndonëse presidenti i Napolit, De Laurentis ka refuzuar disa herë se lojtari mund të shitet, mendohet se klubi parisien ka filluar kontaktet me menaxherin e futbollistit, i cili është Mino Raiola, i cili menaxhon edhe Zlatan Ibrahimoviç.
Menaxheri italian kërkon prej kohësh të gjejë një skuadër tjetër për lojtarin e tij, por këtë ia ka bërë të pamundur vlerësimi i lartë që Napoli ka vënë për lojtarin, i cili pritet të kushtojë 35-40 milion euro. Këto para mund t’i paguajë lehtësisht PSZH, e si rrjedhojë, transferimi i Hamshik tashmë duket i mundur.
Megjithatë, lëvizja e merkatos pritet të zhvillohet gjatë verës, pasi të shihet se ku qëndron PSZH me objektivat në kampionat dhe Ligën e Kampioneve. Në bazë të arritjeve do të bëhen edhe përforcimet, që nuk përjashtojnë edhe një tjetër transferim të bujshëm, të paraprirë nga fjalët e Lavecit. “Do të sillja këtu si Hamshik, ashtu edhe Kavanin. Ata kanë profilin e duhur për të luajtur në skuadra si këto”.
Gazeta franceze bën të ditur se klubi francez ka hedhur sytë edhe nga elementë të tjerë cilësorë si Beil (Totenhem), Nani (Mançester Junajtid), Gomis (Olimpik Lion) dhe Tarabt (QPR). (LajmeShqip.com)
Tuesday, 04 December 2012 16:39