Hamdi Salihi ka gjetur formën e tij më të mirë duke shënuar për të dytën ndeshje radhazi, ndonëse ka qenë përsëri zëvendësues në radhët e DC Junajtid. Sulmuesi shkodran nuk kishte arritur të shënonte në 9 ndeshjet e para të sezonit të MLS, por tashmë ka arritur të përforcojë pozitat e tij brenda skuadrës ku për momentin është kthyer në një zëvendësues.
Edhe në ndeshjen kundër Torontos, Salihi ishte ulur në stolin e rezervave, ndërsa është aktivizuar vetëm në minutën e 71-të të ndeshjes, kur rezultati ishte 1-0 në favor të skuadrës së tij. Por sulmuesit shkodran i kanë mjaftuar vetëm pak minuta për të gjetur rrugën e rrjetës, me një gjuajtje akrobatike spektakolare pas një goditje nga këndi, duke treguar klasin e tij dhe duke shuar përfundimisht zërat e kritikëve të cilët e mendonin atë si një dështim.
Për momentin, DC Junajtid gjendet në vendin e dytë në renditjen e Konferencës së Lindjes, ndërsa duket se për këtë sezon do të jetë në gjendje të arrijë në play-off. Ndërkohë,drejtuesit e skuadrës shpresojnë që me kthimin në formën e zakonshme të Salihit, ky ekip të ketë mundësinë të synojë trofe dhe jo vetëm të jetë mes pjesëmarrësve në play-off. (LajmeShqip.com)
Sunday, 06 May 2012 08:40