Hamdi Salihi është kthyer në formën e tij të zakonshme dhe tashmë ka rifituar vendin në formacionin titullar të DC Junajtid. Sulmuesi shkodran ka shënuar golin e tij të katërt në pesë ndeshjet e fundit në kampionatin amerikan, ku skuadra e tij brenda pak javësh është kthyer në pretendente.
Në ndeshjen kundër Toronto, Salihi ka zbritur në fushën e lojës që nga minuta e parë, ndërsa skuadra e tij ka dominuar përballë kundërshtarëve falë dy golave të mesfushorit De Rosario. Por Toronto ka shkurtuar diferencë në minutën e 71-të dhe dukej se mund të rrezikonte këtë fitore të DC Junajtid. Megjithatë, për të zgjidhur këtë situatë ka menduar Salihi, i cili në minutën e 73-të ka qenë si zakonisht në vendin e duhur në zonën e rreptësisë për të devijuar topin në rrjete e për të vulosur suksesin 3-1 të skuadrës së tij.
“Tani po e shihni se si është Salihi! Ai e di se ku do shkojë topi kur gjendet me këmbë në zonën e rreptësisë dhe ia del mbanë shumë mirë në këto situata. Ai është shumë i mërzitur me veten, pasi nuk arriti të shënonte golin e dytë. Edhe kur kërkonim të vononim lojën pranë goditjeve nga këndi, ai ishte i vetmi që dëshironte të hidhnim topin në zonë. Ai thjesht dëshiron të shënojë gola. Salihi nuk dëshiron të humbim kohë, ai thjesht dëshiron të shënojë, është paraqitur shumë mirë kohët fundit”, ishin fjalët e trajnerit Ben Olsen pas përfundimit të kësaj ndeshje. (LajmeShqip.com)
Sunday, 20 May 2012 08:03