Me gola 1:0, por me lojë dërmuese, Shqipëria bëri një hap të mirë dhe shumë të rëndësishëm drejt kualifikimeve të mëtejme. Një dominim total i Kombëtares së Shqipërisë, ka bërë që bjellorusët të tërhiqen kokulur dhe të turpëruar nga ndeshja e sotme, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian në Futboll Euro 2012. Kjo ndoshta jo krejt për rezultatin, sa për lojën e shfaqur, ku Shqipëria vetëm sulmonte.
Goli i bukur i bomberit shqiptar të Rapidit të Vjenës, Hamdi Salihit (62’), ishte vetëm njëri nga momentet pikante të këtij spektakli që dhuruan djemtë e kombëtares sonë, të cilët sonte shkëlqyen në secilin cep të fushës së blertë.
Shqipëria, mbase, e ka zhvilluar ndeshjen më të mirë të dekadës, në mbrëmjen e sontme, duke iu dhënë më shumë jetë shpresave të shqiptarëve që për herë të parë ta shohin kombëtaren në ndonjë kampionat evropian. Një gol dhe tre pikë janë shumë të rëndësishme për statistikat dhe për plasmanin në tabelë në rrugën drejt kualifikimeve, por po aq e rëndësishme është ajo që shfaqën sonte futbollistët shqiptarë, në një atmosferë fenomenale në tribunat e stadiumit “Qemal Stafa”.
Kombëtaren Shqiptare sonte e kemi parë të luajë si ekpin e ëndrrave të kohëve moderne, katalunasit e Barcelonës. Dhe krahasimi nuk është i tepruar, kur kemi parasysh kombinimet e sakta, lojën me zemër dhe aksionet e bukura.
Po të kishte pasur pak më shumë fat, Kombëtarja Shqiptare sonte do të dilte me një rezultat prej katër apo pesë golash dallim, në favor të saj.
Shumë raste dhe goditje fenomenale dhe një gol i anuluar në pjesën e parë, mbase padrejtësisht dhe një tjetër në të dytën, kur Hamdi Salihi për pak u gjet në pozitë lashtë loje, si dhe dy shtylla të bukura, Lorik Cana nga gjuajtja e lirë në fund të pjesës së parë dhe Hamdi Salihi kah fundi i ndeshjes, kur goditi vertikalen pas një aksioni perfekt të shqiptarëve, ishin gjithashtu pjesë përbërëse e këtij spektakli futbollistik, por edhe dëshmi se fati iu mungoi lojtarëve tanë.
Me këtë fitore (1:0), Shqipëria i “hakmirret” Bjellorusisë për humbjen e vetme që i ka shkaktuar, në këto eliminatore, në Minsk, në vjeshtën që shkoi. Në renditjen tabelare, është në vendin e tretë, me 8 pikë, pas Francës që ka 12 dhe Bjellorusisë 8 (por goldallim më të mirë), dhe para Bosnjës dhe Hercegovinës që ka 7 pikë, Rumanisë 2 dhe Luksemburgut 1 pikë.
Saturday, 26 March 2011 21:08