Rud Gulit beson se Barcelona duhet të fitojnë Ligën e Kampioneve për dy vite radhazi në mënyrë që të cilësohet skuadra më e mirë në histori. Holandezi, i cili e ka fituar dy herë radhazi trofeun në vitet 1989 dhe 1990 me Milanin, mendon se skuadra që drejtohet nga Tito Vilanova duhet të bëjë të njëjtën gjë që të meritojë çdo vlerësim të mundshëm.
“Ne arritëm të mbronim Kupën e Evropës, gjë të cilën as Barça aktuale nuk arriti ta bënte. Por gjithsesi, nuk ka dyshime se kjo skuadër është e madhe dhe ambasadore e denjë e futbollit të bukur”, tha ia para gazetarëve.
Barcelona ka në radhët e saj Lionel Mesin, që cilësohet si një nga yjet më të ndritshme të futbollit botëror të të gjitha kohëve, pasi ka fituar tre herë radhazi “Topin e Artë”. Por Gulit vazhdon të insistojë se çdo krahasim i tij me Diego Armando Maradonën vazhdon të jetë i ekzagjeruar dhe i pamerituar.
“Sipas mendimit tim, Diego Armando Maradona është futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve. Nuk e kam parë asnjëherë Pele të luajë, por e kam parë dhe kam luajtur kundër Maradonës, ai është padyshim më i madhi i të gjitha kohëve. Për momentin, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo janë më të mirët, por asnjë nuk krahasohet ende me Maradonën”, tha ish-sulmuesi i kombëtares holandeze. (LajmeShqip.com)
Monday, 30 July 2012 10:01