Ish-kapiteni i Holandës, Rud Gulit, ka reaguar ndaj diktatit të UEFA-s se viktimat e fyerjeve raciste të cilat largohen nga fusha e lojës pa leje të gjyqtarit, do të ndëshkohen me karton të verdhë. Sipas tij, futbollistët duhet të kenë të drejtën të mbajnë qëndrim të hapur ndaj ngjarjeve të tilla, nëse mendojnë se nuk kanë mbrojtjen e duhur nga gjyqtarët.
“Ulërimat si majmunë në stërvitjen e Holandës këtë javë ishin një turp për autoritetet polake, problemi i racizmit në futboll është në radarët e të gjithëve dhe duhet trajtuar me urgjencë”.
“UEFA u ka dhënë gjyqtarëve të drejtën të ndërpresin ndeshjen dhe unë e mbështet këtë vendim. Por ndaj problemit duhet reaguar menjëherë, në mënyrë që lojtarët të mos jenë të detyruar të rrinë urtë e të vazhdojnë të luajnë, siç ndodhte në ditët e mia”, kujton ish-sulmuesi holandez.
“Sipas mendimit tim, është në mesazh i gabuar sugjerimi i presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, për ndëshkimin me karton të verdhë të futbollistëve që largohen si shenjë proteste. Nëse ndaj një lojtari përdoren fyerje raciste, ai duhet të ketë të drejtë të largohet nga fusha. Unë kam besim te vendimet e gjyqtarëve, por nëse zyrtarët nuk e bëjnë punën e tyre, futbollisti duhet të ketë të drejtën të veprojë”.
“Kur unë luaja, pësoja fyerje raciste, por unë isha vetëm një nga të paktët lojtarë me ngjyrë dhe nuk kishim mbështetjen e autoriteteve. U mësova të injoroja abuzimin dhe ndjehesha i pafuqishëm të ndryshoja këto sjellje. Arma ime e vetme ishte paraqitja në fushën e lojës. Por tani ajo periudhë është lënë prapa”, ka komentuar ish-numri 10 i Holandës. (LajmeShqip.com)
Saturday, 09 June 2012 13:20