Biletat për këtë ndeshje do të dalin sot në shitje. Sipas FFK-së, në treg do të nxirren 15 mijë bileta, çmimet e të cilave do të jenë 3, 7 dhe 10 euro.
Delegacioni i Guinesë Ekuatoriale të enjten do të mbërrijë në Kosovë dhe ai do të përbëhet nga 26 anëtarë. Prej tyre 16 janë lojtarë, kurse 10 të tjerë zyrtarë të përfaqësueses, shkruan sot Koha Ditore.
Gazeta ka siguruar listën me emrat e lojtarëve dhe të zyrtarëve të Guinesë dhe në të bie në sy se ekipi afrikan do të vijë me lojtarët më të mirë që ka për të zhvilluar ndeshjen miqësore me Kosovën. Kjo ndeshje luhet të shtunën në stadiumin e Prishtinës (15:00).
Në listë janë edhe kapiteni Emilio Nsue 26-vjeçar, që luan për skuadrën angleze Middlesbrough dhe ish-futbollisti i Real Madridit dhe Benficas, Javier Balboa. Balboa, 30-vjeçar, që në periudhën 2006 – 2008 luajti shtatë ndeshje për Real Madridin, aktualisht është pjesë e skuadrës së Arabisë Saudite, Al-Faisaly.
Në fakt, Esteban Becker ka ftuar kryesisht ekipin e njëjtë që luajti edhe në ndeshjet e fundit.
Guineja Ekuatoriale ka mbërritur deri në gjysmëfinale të Kupës së Afrikës, të mbajtur në fillim të vitit në këtë vend.
Wednesday, 07 October 2015 15:03