Pep Guardiola ka mbërritur dje në Barcelonë, por jo për të marrë drejtimin e skuadrës katalanase. Ish-trajneri ka udhëtuar nga Nju Jorku drejt qytetit spanjoll për të vizituar mikun e tij, Tito Vilanova, i cili i është nënshtruar operacionit për heqjen e një tumori.
Mediat spanjolle, të lajmëruara për një gjë të tillë, kanë qenë të pranishme në aeroportin e Barcelonës duke u munduar t’i shkëputnin një koment ish-trajnerit që u shfaq si një udhëtar i thjeshtë, vetëm me një çantë shpine në krahë.
Por Guardiola ka evituar të bëjë çdo koment, thjesht duke përshëndetur gazetarët e pranishëm dhe duke u larguar me shpejtësi. Sipas mediave të ndryshme, Guardiola do të vizitojë shokun e tij në shtëpi të hënën, kur ai të largohet nga spitali, në mënyrë që të mos vihet përsëri përballë mediave.
Kuptohet që interesimi mediatik ndaj tij vjen për faktin se shumë shpejt pritet të mësohet se cila do të jetë e ardhmja e trajnerit spanjoll, i cili ka shumë oferta përpara dhe mund të zgjedhë mes klubeve më të njohura në Evropë. Aty nuk bën pjesë Barcelona, e cila ka hedhur poshtë mundësinë e kthimit të tij, qoftë edhe përkohësisht për shkak të ndërhyrjes kirurgjikale të Vilanovës. (LajmeShqip.com)
Sunday, 23 December 2012 09:20