Menaxheri i Pep Guardiolës ka deklaruar se punëdhënësi i tij nuk do të fillojë të mendojë për ekipin e të ardhmes para fillimit të vitit 2013. 41 vjeçari është përfolur shpesh si një prej emrave më të kërkuar në tregun e trajnerëve, që pasi i dha fund karrierës së tij në drejtimin e Barcelonës në sezonin e kaluar.
Ai kërkohej nga Çelsi që në fillim të këtij sezoni, para se të emërohej trajner Roberto Di Mateo, ndërsa londinezët janë përsëri ekipi më i interesuar pas tij pasi shkarkuan italianin dhe emëruan si trajner të përkohshëm Rafa Benitez.
Por Guardiola vazhdon t’i qëndrojë besnik fjalëve të tij se do të bëjë një vit pushim në Nju Jork dhe këtë e ka konfirmuar edhe menaxheri Josep Maria Orobitog.
“U takova me të 15 ditë më parë dhe më tha se para janarit apo shkurtit nuk do të vendosë se cilin klub do të drejtojë apo nëse do të qëndrojë i ulur në ndonjë pankinë në sezonin e ardhshëm”, shpjegoi ai për gazetën braziliane “Lance”.
“Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh, para asaj periudhe ai nuk do të marrë asnjë vendim rreth ndonjë klubi apo ekipi kombëtar. Ai është i vetmi person në gjendje të vendosë për të ardhmen e tij”.
“Aktualisht ai është me familjen e tij, duke pushuar, duke lexuar dhe duke ndjekur futboll. Në janar do të fillojë të mendojë rreth cilës skuadër do të drejtojë në sezonin e ardhshëm”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 November 2012 16:15