Pep Guardiola po mëson gjermanisht në mënyrë intensive, sipas asaj që ka treguar vëllai i tij Pere i cili ka bërë të qartë se trajneri spanjoll dëshiron të prezantohet duke folur rrjedhshëm gjermanisht në klubin e tij të ri, Bajern Mynih.
Pere Guardiola, që është njëkohësisht edhe menaxheri i trajnerit, ka zbuluar se si Pep ka filluar kurset e gjermanishtes që në nëntor, ndërsa tani është përfshirë me shumë zell në mësimet e tij pasi është një përfeksionist i mirëfilltë.
“Pep ka qenë si gjithmonë shumë i fiksuar. Mëson katër orë në ditë, si i çmendur. Vetëm një person kryeneç arrin ta bëjë një gjë të tillë. Është absurde. Ti takon vëllain tënd për drekë, ndërsa ai flet pa pushim gjermanisht me mësuesin e tij”, shpjegoi Pere për “Der Spiegel”.
Sipas asaj që është mësuar nga mediat gjermane, edhe mësuesja e gjermanishtes së Guardiolës në Nju Jork është e udhëzuar të mos komunikojë me mediat rreth progresit të trajnerit spanjoll. Ky i fundit, e ka marrë aq seriozisht, sa ka vazhduar kurset në vendlindje gjatë javës së kaluar, kur ishte për pushime. Meqenëse nuk mund të merrte mësuesen me vete nga Nju Jorku, ai punësoi një tjetër vetëm për një javë në vendlindje që të mos ndërpriste punën e tij, edhe pse me pushime dhe për vizitë te familjarët në Spanjë. (LajmeShqip.com)
Monday, 10 June 2013 08:19