Pep Guardiola është i bindur se Lionel Mesi do të shkëlqente edhe nëse do të luante në mbrojtje, pavarësisht karakteristikave krejtësisht të ndryshme të futbollistit argjentinas nga një mbrojtës tipik. Në një vizitë në Buenos Aires, gjatë turneut që po zhvillon në Amerikën Latine, ish-trajneri i Barcelonës ka pranuar se nuk e kishte parë asnjëherë lojtarin duke luajtur deri në momentin kur mori drejtimin e Barcelonës B.
“Mesi është një mbrojtës i shkëlqyer. Nëse mundohet të ta heqë topin, ai ia arrin ta bëjë një gjë të tillë. Jam i sigurt se në rast se do ta vendosnim në krahun e majtë të mbrojtjes, ai do të shkëlqente përsëri. Mesi është më i miri duke lëvizur në qendër të mesfushës. Ky pozicion i mundësonte të kthehej dhe të merrte topin pa u ndjekur nga mbrojtësit. Në këtë mënyrë ne siguronim superioritetin në këtë sektor të fushës dhe ai mund të merrte topin me më shumë lirshmëri”, deklaroi Guardiola.
“Influenca ime? Nëse ai bën atë që bën në zonë, çfarë lidhje kam unë me këtë! Hera e parë që e pashë ishte në një aktivitet marketingu me “Nike”. E pashë të ndrojtur, si gjithmonë. Ishte me babain e tij dhe unë nuk e njihja, por Tito Vilanova më kishte thënë që do të bëhej i jashtëzakonshëm”, tha trajneri spanjoll. (LajmeShqip.com)
Saturday, 04 May 2013 11:03