Pep Guardiola ka treguar qartësisht se po bëhet gati të kalojë në Angli. Në një mesazh përshëndetje për 150 vjetorin e krijimit të Federatës Angleze të Futbollit, ish-trajneri i Barcelonës nuk është fshehur duke deklaruar se tërhiqet nga atmosfera e jashtëzakonshme e kampionatit të këtij vendi.
“Më është dukur gjithmonë tërheqës futbolli anglez, për atmosferën, njerëzit dhe mbështetjen e tifozëve”, tha Guardiola. “Si lojtar, nuk arrita ta realizoj ëndrrën time për të luajtur atje, por shpresoj që në të ardhmen të përjetoj një sfidë si trajner dhe të ndjej eksperiencën e të gjithë lojtarëve e trajnerëve që kanë qenë aty”.
“Të luash në atë kampionat është unike, unë dua të ndjej tifozët, atmosferën, raportin me median, stilin e lojës së lojtarëve dhe gjithçka tjetër. Jam ende i ri, jam 41 vjeç, ndaj shpresoj që në të ardhmen të jem në gjendje të drejtoj aty dhe të kem këto kënaqësi”.
Në mesazhin e tij kishte edhe një falënderim për anglezët, në 150 vjetorin e krijimit të FA-së.
“Do të dëshiroja të uroja datëlindjen e 150-të të futbollit anglez dhe sidomos njerëzit përkrah futbollit në këtë vend. Gëzojuni, pasi e meritoni dhe keni qenë shumë të rëndësishëm në zhvillimin e lojës tonë të bukur”, tha ish-trajneri i Barcelonës. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 16 January 2013 10:49