Ish-fituesi i “Topit të Artë”, braziliani Ronaldinjo, po ndiqet me interes nga klubi ambicioz kinez, Guangzhou Fuli, sipas asaj që bëri të ditur vetë trajneri brazilian i kësaj skuadre, Serxhio Farias.
Trajneri i Guangzhou Fuli tregoi në një intervistë për gazetën braziliane “Futebol Interior” se drejtuesit e klubit të tij i kishin thënë se po bënin gati një ofertë për futbollistin 32 vjeçar i cili u largua pak ditë më parë nga Flamengo dhe tani është në kërkim të një sistemimi të ri.
“Klubi më ka thënë se është shumë i interesuar për Ronaldinjon dhe kjo më çuditi shumë”, tha Farias, i cili iu bashkua kësaj skuadre në nëntor, pasi klubi u ngjit në Superligën kineze.
Sipas asaj që raportojnë mediat kineze, Fuli është gati t’i ofrojë Ronaldinjos një kontratë prej 20 milionë dollarësh në vit, pasi të hapet dritarja e merkatos në kampionatin kinez me 18 qershor.
“Ne të gjithë e dimë që Ronaldinjo është një futbollist i klasit të lartë. Mendoj se nëse arrijmë ta marrim, do të kemi një betejë të madhe me Guangzhou Evergrande për titullin”, tha ai. Për momentin, Guangzhou Evergrande dominon futbollin kinez, por rivalët e të njëjtit qytet të Fuli, e ndjekin në renditje me vetëm 2 pikë diferencë. (LajmeShqip.com)
Monday, 04 June 2012 15:47