Nëse jo i fundit, atëherë përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, është ndër të fundit në mesin e përzgjedhësve në Evropë që shpall listën me emrat e futbollistëve për ndeshjet e këtij muaji. Derisa shumica e përfaqësueseve tashmë kanë nisur përgatitjet për ndeshjet që i presin, Bunjaki nuk e ka publikuar ende listën me emrat e futbollistëve të ftuar.
Kosova të shtunën në Prishtinë luan miqësore me Guinenë Ekuatoriale, ndërsa Bunjaki listën do ta shpallë të mërkurën. Të mërkurën nis edhe grumbullimi i përfaqësueses së Kosovës, zhvillohet stërvitja e parë. Lojtarët për Kosovë janë nisur të hënën, disa udhëtojnë të martën (sot) e ndonjë të mërkurën. Megjithëse lojtarët janë në rrugë, Bunjaki listën nuk e ka shpallur.
“Është e drejtë e secilit përzgjedhës të shpallë listën kur ai mendon se është momenti i duhur. Edhe Anglia një kohë e ka shpallur listën kështu si ne”, ka thënë Bunjaki të hënën për gazetën. Ai ka ardhur në Kosovë pas një turneu në Gjermani, Zvicër, Itali e Shqipëri, shkruan sot Koha Ditore.
Në fakt, mendohet se qëndron një arsye e fortë prapa vendimit të përzgjedhësit të Kosovës që të shpallë listën me emrat e futbollistëve të ftuar vetëm në momentin e duhur. Kosova ende përballet me telashe që të grumbullojë lojtarët që i planifikon, ndonëse prej fillimit të vitit të kaluar e ka lejen e FIFA-s për miqësore. Bunjaki ka pranuar se Përfaqësuesja e Kosovës përballet ende me elemente të mospranimit.
“Shpallja e listës nuk ka të bëjë me ndonjë strategji. Unë do të mund të shpallja listën dy javë më herët, por kur të bëhej grumbullimi i lojtarëve ajo listë do të duhej të kishte përmirësime të shumta. Bëhen shumë ndryshime. Për shembull, mbrëmë unë kam bërë ndryshimin e fundit në listë për ndeshjen e së shtunës. Pengesa prej klubeve ka”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës.
Ai ka treguar se i ka ndodhur të ketë pengesa për lirimin e lojtarëve nga skuadrat e Shqipërisë, përkatësisht nga Vllaznia e Shkodrës. Ka pasur pengesa edhe nga klubet gjermane, zvicerane, polake, norvegjeze e të ndonjë vendi tjetër.
Tuesday, 06 October 2015 14:35