Familja e Zhoze Murinjos është bërë viktimë e një grabitje në qytetin e Londrës. Ndonëse nuk dihen ende shumë detaje rreth këtij incidenti, është mësuar se ai ka detyruar trajnerin portugez që të udhëtojë me urgjencë drejt kryeqytetasit anglez.
Sipas një programi sportiv të “Cadena COPE”, trajneri portugez është nisur dje në orët e para të mëngjesit drejt Londrës, ndërsa është kthyer vetëm pak orë më parë në kryeqytetin spanjoll, pasi ka vizituar familjen e tij që gjendej në Angli. I njëjti burim informacioni ka konfirmuar se shkaku i vizitës ishte lajmi se gruaja dhe vajza e tij, që gjendeshin prej disa ditësh në Londër, ishin bërë viktima të grabitjes atje.
Gruaja dhe vajza e Murinjos shkojnë shpesh në kryeqytetin anglez, pasi ata zotërojnë edhe një apartament në këtë qytet, ndërsa vajza e Murinjos është e regjistruar në një kolegj atje pasi studion për pikturë. Vetë portugezi e ka cilësuar këtë si qytetin perfekt për të jetuar, por nuk dihet nëse do ta mendojë më kështu pas incidentit të familjarëve të tij. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 17 April 2013 10:25