Rafael Van Der Vart është pranë largimit nga skuadra e Totenhem pasi Shalke ka bërë një ofertë prej 10 milionë eurosh për mesfushorin holandez.
Lëvizja e klubit gjerman u bë pasi drejtuesit e Shalkes kanë mësuar se futbollisti është i interesuar të rifillojë një karrierë të re në Gjermani, për arsye sportive por sidomos personale.
Arsyeja sportive është se në radhët e Totenhemit ai nuk është më një titullar i padiskutueshëm dhe thuajse në çdo ndeshje ku ka luajtur si titullar ka përfunduar duke u zëvendësuar para mbarimit të 90 minutave. Ndërsa te Shalke atij i është premtuar një fanellë titullari dhe roli i padiskutueshëm i organizatorit në mesfushën e kësaj skuadre.
Arsyeja personale është ajo që shtyn më shumë Van Der Vart drejt Gjermanisë. Në këtë mënyrë ai do të zgjidhte problemin e qëndrimit larg bashkëshortes Silvi për më shumë se gjysmën e javës, siç ndodh aktualisht. Ajo punon për televizionin gjerman RTL, që ka qendrën në Këln, as 100 kilometra larg qendrës stërvitore të Shalkes.
Paratë e rrogës nuk janë problem për skuadrën e Shalkes, një nga më të pasurat në Gjermani dhe ata mund të rritnin ofertën për Totenhem nëse klubi anglez mendon se 10 milionë euro janë pak për 29 vjeçarin. Vetë futbollisti ka evituar çdo koment të mundshëm. “Po përqendrohem vetëm te kombëtarja holandeze”, ishte përgjigja e tij, duke shtyrë çdo debat pas përfundimit të Kampionatit Evropian. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 30 May 2012 18:30