Ish-trajneri i përfaqësueses angleze në mesin e viteve ’90, Glen Hodëll, ka pranuar se do të dëshironte të kthehej në stolin e “tre luanëve” gjatë Euro 2012.
Pas largimit të Fabio Kapelos, federata angleze është vënë në kërkim të një zëvendësuesi, ndërsa favorizon dukshëm trajnerët vendas në krahasim me një të huaj. Herri Redknap është favoriti për të marrë këtë detyrë, ndërsa emra të tjerë në listë janë Roi Hodgson dhe Stjuart Pirs.
“Nëse do të vdisja nesër, jeta ime do të ishte e paplotë”, tha Hodëll për “The Independent”, duke iu referuar eksperiencës së lënë në gjysmë me këtë kombëtare. Ai morri drejtimin e Anglisë në vitin 1996 dhe e drejtoi këtë skuadër në Francë ’98, por pastaj u shkarkua nga puna pasi bëri disa komente të pakëndshme për njerëzit me aftësi të kufizuara në vitin 1999.
“Mendoj se kemi një grup lojtarësh të cilët janë të aftë të bëjnë diçka të mirë në Evropian. Edhe ideja për të patur një trajner me kohë të pjesshme nuk është e keqe. Funksionon në regbi, pse të mos funksionojë në futboll”, tha trajneri që ka veshur për 53 ndeshje si lojtar fanellën e kombëtares angleze. (LajmeShqip.com)
Monday, 26 March 2012 12:54