Trajneri i Borussia Moenchengladbachut, Andre Schubert, në fund të këtij viti do të ulet të bisedojë me drejtuesit e klubit për strategjinë e transferimeve.
Krahas kësaj, Schubert do ta bëjë edhe një kërkesë për klubin, e cila patjetër se duhet të realizohet. Ai do të kërkojë nga Borussia Moenchengladbachu që ta mbajë mesfushorin kosovar Granit Xhaka sa më gjatë që të jetë e mundur dhe të refuzojë të gjitha ofertat që vijnë për të, qofshin ato gjatë miniafatit kalimtar të janarit apo në fund të edicionit 2015-16, shkruan sot “Koha Ditore”.
Mediumet gjermane të hënën kanë shkruar se Schubert e vlerëson Xhakën si lojtarin më të rëndësishëm te Gladbachu dhe për këtë arsye prej se ka marrë drejtimin e ekipit ia ka besuar mesfushorit të Përfaqësueses së Zvicrës, shiritin e kapitenit. Schubert po frikësohet nga klauzola e lirimit të Xhakës, e cila ka një shifër prej 30 milionë eurosh. Ai beson se kjo klauzolë nuk do të thotë asgjë për ekipet e mëdha të Evropës si Atletico Madrid, Barcelona dhe Arsenal.
“Schubert do t’i kërkojë klubit që mos ta shesë Xhakën, pasi insiston se ai duhet të mbahet sa më gjatë në klub. Xhaka ka kontratë deri në vitin 2019 me opsion për ta vazhduar edhe për një vit tjetër. Kështu që klubi do të insistojë në rinovimin e kontratës, pasi Xhaka mbetet lider i padiskutueshëm”, ka thënë një burim për “Fussballtransfers.com”.
Po ashtu edhe drejtuesit e Gladbachut janë të kënaqur me punën që po e bën trajneri Schubert, i cili është emëruar përkohësisht pas largimit të Lucien Favre. Drejtori sportiv, Max Eberl, ka paralajmëruar se në fund të këtij viti Schubert do të firmosë kontratë afatgjate me Gladbachun.
Tuesday, 03 November 2015 15:04