Kthimi i Robinjos në Brazil është çështje e kryer, e vetmja enigmë që ka mbetur është cili do të jetë klubi i tij i ardhshëm, pasi thuajse çdo skuadër elitare në vendlindje kërkon të sigurojë shërbimet e sulmuesit.
Sipas mediave braziliane, Adriano Galiani nuk po diskuton vetëm me Santos e Flamengo për shitjen e tij, pasi edhe shumë skuadra të tjera janë interesuar zyrtarisht për lojtarin, i cili deri tani ka vendosur si kusht vetëm kthimin në vendlindje, pa një destinacion të preferuar.
Fluminense, rivali më i fortë i Flamengos në derbin më të nxehtë të Brazilit, kërkon një emër të madh për pjesëmarrjen në Kupën Libertadores të vitit të ardhshëm dhe afrimi i sulmuesit mendohet si dhurata ideale për tifozët pas titullit kampion. Nga ana tjetër, Sao Paulo kërkon me ngulm një lojtar cilësor për ta vënë përkrah Ganso, pasi tani nuk ka në dispozicion Lukas Moura i cili në janar transferohet te PSZH.
Në garë ka hyrë edhe Atletiko Mineiro, ku luan Ronaldinjo. Këtë fakt e ka konfirmuar vetë Galiani për mediat braziliane. “Santos? Ekzistojnë shumë mundësi të ndryshme, edhe Atletiko Mineiro është në garë”, pohoi drejtuesi i Milanit, i cili gjatë këtyre ditëve do të zhvilloj bisedime me të gjitha këto klube për të mbyllur sa më parë transferimin e sulmuesit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 26 December 2012 17:14