Shkodër – Ekipi kombëtar i gjimnastikës për femra, në përbërje të të cilit 90 për qind e formacionit garues janë gjimnaste të Vllaznisë së Shkodrës, do të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar, që zhvillohet në Gjermani.
Delegacioni sportiv i kombëtares së gjimnastikës, i cili do të kryesohet nga presidenti i Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, ish-gjimnasti i njohur shkodran, Leonard Lulaj, është nisur mesditën e së shtunës nga Shkodra drejt vendit organizator.
Gjatë një prononcimi për ATSH-në para nisjes në Gjermani, trajneri i ekipit kombëtar të gjimnastikës, Vladimir Limaj, u shpreh i kënaqur që i jepet mundësia të drejtojë kombëtaren shqiptare në gjimnastikë në një aktivitet të tillë ndërkombëtar.
Limaj vlerësoi gjimnastet e Vllaznisë, të cilat dominojnë në përbërjen e formacionit kuqezi, si dhe mbështetjen e dhënë nga presidenti i federatës, Lulaj, jo vetëm për pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë aktivitet, por në të njëjtën kohë edhe për kontributin e tij në rikthimin e traditës së gjimnastikës në Shkodër.
Sipas Limajt, formacioni i kombëtares së gjimnastikës përbëhet nga, Adeljana Bregu, Oneda Reçi, Xheni Kozi, Aurela Hoxha, Anxhela Stojna, Eralda Zemanaj, Serena Biba.
Saturday, 12 November 2011 17:40