Një delegacion i përfaqësueses gjermane të futbollit vizitoi kampin e përqendrimit në Aushvitz-Birkenau për të nderuar viktimat e holokaustit.
Kapiteni Filip Lahm, dy futbollistët me origjinë polake Lukas Podolski dhe Miroslav Klose, trajneri Joakim Lëv, presidenti i Federatës Gjermane, Volfgang Niersbah dhe zyrtarë të tjerë mes të cilëve edhe Olivier Bierhof, vizituan këtë kamp në jugun e Polonisë ku kanë ndodhur disa nga masakrat më të paimagjinueshme gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky delegacion vendosi homazhe në përkujtimoret e viktimave, ndërsa shkroi disa fjalë edhe në librin e kujtimeve.
“Kur përballesh me këtë kapitull mizor dhe anti-njerëzor të historisë së Gjermanisë, na duhet të kujtojmë fjalët e ish-presidentit Riçard Von Veizsaker, i cili ka thënë se “ata që mbyllin sytë ndaj të kaluarës, do të jenë të verbër për të tashmen”, ishte komenti i presidentit të Federatës Gjermane të Futbollit, Niersbah.
“Është detyrimi ynë që të jemi të vëmendshëm dhe të edukojmë shumë të rinj në klubet tona, vazhdimisht, se anti-semitizmi, racizmi dhe intoleranca nuk kanë vend në shoqërinë tonë”.
Drejtuesit e komunitetit çifut në Gjermani i bënë kërkesë zyrtare Federatës Gjermane të dërgonte të gjithë ekipin në këtë kamp gjatë turneut, po një vizitë e tillë e të gjithë delegacionit do të ishte e vështirë për t’u realizuar në një moment të tillë ndaj u vendos që kampin ta vizitonte vetëm një grup i vogël.
Si për ironi të fatit, vizita erdhi vetëm një ditë pasi Gjermania mundi në një miqësore kombëtaen e Izraelit me rezultatin 2-0. (LajmeShqip.com)
Friday, 01 June 2012 19:20