Trajneri i përfaqësueses gjermane të futbollit, Joakim Lëv, pranoi se skuadra e tij ka nevojë për shumë përmirësime pasi kjo e fundit kishte vështirësi të mundte Izraelin në ndeshjen e fundit përgatitore para fillimit të Euro 2012.
Një gol i pjesës së parë nga Mario Gomez i dha avantazhin Gjermanisë në ndeshjen që luhej në Lajpcig. Ndërsa Andre Shurle u aktivizua si zëvendësues në pjesën e dytë dhe shënoi golin e dytë kur kishin mbetur vetëm 8 minuta deri në përfundimin e ndeshjes, për t’i dhënë suksesin 2-0 skuadrës së tij.
Më këtë fitore, Gjermania evitoi humbjen e tretë radhazi në këtë sezon, pasi është mundur më parë nga Franca dhe Zvicra në miqësoret e këtij vitit, por sipas Lëv ajo ka nevojë për shumë përmirësime.
“Jo gjithçka shkoi siç duhej, por është gjë e mirë që shkojmë në turne me një fitore. Ne kemi nevojë të përmirësojmë finalizimin e rasteve që krijojmë dhe organizimin e lojës, ndonëse këtë radhë shfaqëm lojë më të mirë”, tha ai.
Lajmi i mirë për Gjermaninë është ai i kthimit në formë të mirë fizike të Bastian Shvajnshtajger i cili në këtë ndeshje nuk u aktivizua.
“Bastian nuk ndjen më dhimbje që të mërkurën, por e lamë pushim për të mos rrezikuar. Tani ai do të fillojë përsëri vrapimet dhe do të stërvitet me skuadrën të martën”, deklaroi Lëv, duke bërë të qartë se lojtari pritet të jetë në fushë në ndeshjen e parë kundër Portugalisë. (LajmeShqip.com)
Friday, 01 June 2012 08:40