Mançester Junajtid ka konfirmuar se Rajan Gigs ka nënshkruar zgjatjen e kontratës për një tjetër sezon.
Sipas kësaj marrëveshje, 38 vjeçari do të luajë sezonin e tij të 22-të me ekipin ku debutoi në marsin e vitit 1991. Gjatë kësaj periudhe, ai ka luajtur 898 ndeshje me fanellën e skuadrës, duke shënuar 162 gola dhe fituar 12 tituj Kampion në Angli, 4 Kupa FA, 3 Kupa Lige, 2 Liga Kampionesh, 1 Kupë Ndërkontinentale dhe 1 Botëror Klubesh FIFA.
Aleks Ferguson u shpreh i lumtur me këtë rinovim. “Rajan është një lojtar i mrekullueshëm. Ai është simboli i gjithë skuadrave të mia këtu pasi ka ndryshuar në vazhdimësi, duke u përshtatur me futbollin në vite, por duke mbajtur të njëjtën dëshirë dhe uri për sukses. Të rinjtë do të vazhdojnë të mësojnë nga një lojtar që vazhdon të vërë rekorde që do të jenë të vështira për t’u thyer”.
Edhe Gigs ishte mëse i kënaqur për këtë marrëveshje. “Kur nënshkrova kontratën time të parë, nuk e prisja të luaja për 22 vite me Mançester Junajtid. Por ndjehem mirë dhe mendoj se jam në gjendje të ndihmoj ekipin të kërkojë trofe të tjerë. Titulli i 19-të ishte një ndjesi e shkëlqyer por tani dua një tjetër trofe”, ishte deklarata e mesfushorit. (LajmeShqip.com)
Friday, 10 February 2012 13:37