Mesfushori i Mançester Junajtid, Rajan Gigs, po mendon që të bëhet trajner në momentin kur do të vendosë të largohet nga futbolli i luajtur.
Uellsiani 38 vjeçar aktualisht është kapiten i kombëtares olimpike të Britanisë së Madhe dhe po mundohet që të mësojë sa më shumë nga Stjuart Pirs dhe stafi i tij teknik në këtë eksperiencë.
“Trajnimi është diçka që e shoh gjithnjë e më shumë me interes. Në mes të sezonit të kaluar mora Licencën UEFA A, e cila do të më ndihmojë. Është një pikëpamje krejtësisht ndryshe nga ajo e të qenit futbollist”.
“Dua që të mbledh sa më shumë njohuri dhe të përgatitem sa më mirë që të mundem, nëse do të synoj t’i hyj menaxhimit apo trajnimit të lojtarëve. Olimpiada është një platformë e madhe, është ndryshe nga përfshirja në turnetë me klubin, ndërkombëtarë apo kombëtarë”.
“Unë bëj sa më shumë pyetje që të jetë e mundur si te Mançester Junajtid, ashtu edhe këtu me Britaninë e Madhe”, tha Gigs duke pranuar me humor se tashmë ishe bërë i bezdisshëm me pyetjet e tij për stafin teknik. Uellsiani shihet si një nga zëvendësuesit më të mundshëm të Aleks Ferguson në stolin e Mançester Junajtid (LajmeShqip.com)
Sunday, 15 July 2012 12:30