Në intervistën e tij të parë të dhënë që pas zgjatjes së kontratës ekzistuese me Borusia Dortmund deri në vitin 2016, Mario Gëtze ka shpjeguar arsyet e këtij vendimi.
Ai tregoi se është një tifoz i ekipit dhe mendon se klubi ka mundësi reale që të përmirësohet më tepër në vijim.
“Kam thënë gjithmonë se Borusia Dortmund është çështje zemre dhe unë kam rrënjë të thella te ky klub”, tha ai për “Bild”. “Kjo skuadër ka një të ardhme të shkëlqyer, unë ndjej se diçka e mirë po rritet këtu”.
Gëtze ka refuzuar kërkesa nga Arsenali, Bajern Mynih, Real Madrid dhe Barcelona, ndërsa firmosi zgjatjen për dy vite të tjera të kontratës së tij këtë të marte. Ndonëse ai mund të përfitonte më shumë para dhe eksperiencë në ndonjë ekip tjetër, Gëtze mendon se Dortmund i ofron mundësitë më të mira për rritjen e tij si lojtar.
“Në sytë e mi, menaxherit dhe familjes time, e gjithë “pakoja” që përfshin trajnerët dhe skuadrën ishte shumë e mirë. Jemi të lumtur me këtë zhvillim i cili nuk është se i afrohet fundit dhe unë do të bëj maksimumin për të bërë pjesën time që ta ndihmoj”.
I pyetur nëse këto fjalë ishin një sfidë ndaj hegjemonisë së Bajern Mynih në Gjermani, lojtari ka bërë të qartë se ai mendon vetëm për klubin e tij.
“Aspak, unë shoh vetëm atë që bëjmë ne. Klubi ka arritur të nënshkruajë me Marko Reus dhe ai do të na ndihmojë për të hedhur një tjetër hap para. Po pres me padurim të luaj përkrah tij”, ishin fjalët e Gëtze. (LajmeShqip.com)
Thursday, 29 March 2012 19:01