Gazeta më e madhe sportive spanjolle, “Marca”, e cila është shumë pranë klubit të Real Madrid dhe mbron fuqimisht interesat e tij, ka publikuar sot lajmin se është marrë vendimi për largimin e Zhoze Murinjos nga madrilenët në fund të këtij sezoni.
Sipas saj, si Perez, ashtu edhe Murinjo, e cilësojnë të përfunduar ciklin e portugezit në bankinën e skuadrës dhe kanë arritur një marrëveshje zotërinjsh për të mbyllur marrëdhënien mes palëve me 30 qershor, kur mbyllet zyrtarisht sezoni.
Florentino Perez mendon se Murinjo “po bën vetëvrasje” me vendimet dhe deklaratat e kohëve të fundit, duke filluar nga debati me Ramos, lufta me trajnerin e akademisë, Toril, apo edhe polemika kundër tifozëve në stadiumin “Santiago Bernabeu”.
Në këtë mënyrë, është vendosur nga të dy palët që sezoni të mbyllet në mënyrë miqësore, duke shpresuar që Murinjo të sjellë Ligën e Kampioneve numër 10. Për më tepër, Perez nuk dëshiron që të ketë një krizë institucionale në mes të sezonit.
“Marca” insiston se marrëveshja parimore për largimin e Murinjos është arritur, tani mbetet të ulen në tavolinë dhe të diskutojnë mbi cilat baza ekonomike do të shpërblehet trajneri i cili nuk largohet pa marrë një bonus të ndjeshëm. (LajmeShqip.com)
Monday, 03 December 2012 12:03