Ivan Xhenaro Gatuzo është zyrtarisht trajneri i ri i skuadrës së Sionit në kampionatin zviceran të futbollit. Lajmi është bërë i ditur nga vetë drejtuesit e kësaj skuadre, të cilët i kanë besuar një rol të ri ish-mesfushorit të Milanit që iu bashkua ekipit në fillim të sezonit.
Humbja e thellë 4-0 në transfertën përballë Tun ka shtyrë presidentin e klubit të marrë këtë veprim që në disa aspekte është shumë i çuditshëm, pasi mesfushori nuk ka aktualisht një licencë trajneri dhe as që ka tentuar të bëjë kualifikimin për një rol të tillë. Për këtë arsye, trajneri i mëparshëm, Viktor Murnjoz, do të mbetet pjesë e stafit teknik, por tashmë do të kalojë si ndihmës i Gatuzos që ka edhe rolin e kapitenit të skuadrës zvicerane.
Duhet thënë se Sioni e filloi kampionatin me shumë pretendime, pasi dëshironte të luftonte për titullin kampion në Zvicër falë edhe disa blerjeve të rëndësishme ku spikaste ajo e mesfushorit italian.
Por kjo skuadër aktualisht gjendet në vendin e katërt në renditje, 9 pikë pas Grasshopers që e kryeson atë. (LajmeShqip.com)
Monday, 25 February 2013 18:24