Rino Gatuzo nuk ka ngurruar të sulmojë Milanin, duke iu referuar përsëri largimit të tij, i cili sipas mesfushorit, është gatuar nga trajneri Masimiliano Alegri.
“Unë dhe Nesta u larguam nga Milan pasi nuk na donte Alegri. Fillimisht na çanin dërrasat se nuk largoheshim kurrë, tani ankohen se pse u larguam… nuk dua të bëj polemika, kam ende në raport të mirë me Alegrin, por vazhdoj ta ndjej veten një lojtar, në kundërshtim nga ajo që mendon ai. Klubi dëshironte të më mbante por gjithçka bëhet më e vështirë kur ai që komandon dhomat e zhveshjeve e mendon ndryshe”.
Ndonëse mesfushori e cilëson normale shitjen e yjeve nga kuqezinjtë në këtë moment krize në Itali, ai nuk ngurron të thumbojë përsëri trajnerin e Milain, duke e ftuar të tregojë tani aftësitë e tij, kur nuk ka yje në skuadër.
“Kompanitë në Itali nuk po ecin mirë, përfshirë ato të Berluskonit. Nëse njerëzit humbin punën, nuk shoh arsye pse duhet të vazhdohet të shpenzohet për një ekip futbolli. Por, siç jam gatuar unë, do ta kisha të vështirë të flija natën nëse do të isha në vendin e Alegrit. Është çështje më vete të përgatitësh ekipin me një prej mbrojtëse më të fortë në botë në përbërje dhe një sulmues që në Serinë A të fiton i vetëm 10 ndeshje. Është krejtësisht diçka ndryshe të mos i kesh më në ekip”, deklaroi Gatuzo. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 July 2012 16:01