Shkup, 17 prill- Kampionati shtetëror në boks në Shutkë të Shkupit ka shënuar një incident të rëndë. Dy boksierë të klubit “Çair”, Bejtulla Jahiu dhe Visar Jahiu janë bërë shënjestër dhune e publikut të Shutkës, pas sherrit që ka nisur për shkak të padrejtësisë që u bë në ndeshjen që luhej deri në ato momente mes boksierit të Klubit “Ternipe” Sinan Xheladin me boksierit nga Klubi i ‘Çair” Shaqir Jakupi. “U çua tërë publiku i Shutkës dhe na kanë rrahë sportistët, na i rrahën boksierët më të mirë, mi kanë dëmtuar dhe nuk mund të boksojnë së paku për dy muaj edhe mua ma merr mendja që deri te kjo erdhi në sajë të dobësisë së Federatës dhe delegatëve që ishin në Shutkë, ata e bënë këtë qëllimisht”, ka thënë Skënder Jahiu, trajner i KB “Çair”. “Në ikje duke dalë aq shumë i kanë rrahur me karrige me xhama, po i shihni edhe vetë se si janë, dhe neve askush as nga policia e as nga Federata nuk u lajmërua për të na pyetur se çfarë ka, a është lënduar dikush dhe këtë punë nuk e ka marrë parasysh askush”, ka shtuar ai. Përderisa zhvillohej incidenti, kur turma e spektatorëve vendas sulmuan çairasit, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë dhe gra të mbuluara, boksierët e klubeve tjera që ishin pjesëmarrës në këtë turne të javës së parë, ishin nën përkujdesjen e trajnerëve të tyre, të tubuar në sallën e edukatës fizike të shkollës ku zhvillohej “turneu” dhe incidenti i padëshiruar dhe i pahijshëm. Boksierët mysafir bashkë me trajnerët dhe shoqëruesit e tyre, mundën ta braktisin Shutkën, pas intervenimit të numrit të konsideruar të policëve të uniformuar dhe civil.
Dy boksierët, Bejtulla dhe Visar Jahiu, madje ishin vendosur në kënde të kundërta, pra jo sipas rregullores që parashikon vendosjen e tyre sipas ngjyrave. Nga iritimi i stafeve teknike, situata degjeneroi deri në përfshirjen e tifozëve të cilët përdorën edhe sende të forta kundrejt njëri tjetrit. Dy boksierët e Çairit, pas ndihmës mjekësore janë lëshuar për kurim në shtëpi.
Incidenti është konfirmuar edhe nga stacioni policor Çair, të cilët kanë marrë të gjitha masat për hetimin e rastit. Drejtuesit e Klubit të Boksit “Çair”, madje kanë paralajmëruar se për boksierët e dëmtuar në incident do të kërkojnë dëmshpërblim dhe për një kohë të gjatë nuk do të jenë në gjendje të bëjnë gara. Ndryshe, java e dytë sipas orarit të garave është planifikuar të mbahet në Strugë.
Sunday, 17 April 2011 20:03