Futbollisti i përfaqësueses braziliane, Ganso, ka shprehur të gjithë entuziazmin e tij pasi ka arritur të realizojë një ëndërr duke iu bashkuar Sao Paulos nga radhët e skuadrës së mëparshme, Santos.
Mesfushori 22 vjeçar ishte përfolur për një transferim në Evropë, me shumë klube të mëdha si Milan e Totenhem që u interesuan për shërbimet e tij, por ai zgjodhi të qëndronte në vendlindje për t’iu bashkuar një skuadre për të cilën bën tifo.
“Unë jam shumë i lumtur. Është një gëzim i madh dhe realizimi i një ëndrre personale që t’i bashkohesha Sao Paulo”, tha ai për faqen e internetit të klubit.
“Isha tmerrësisht i lumtur kur dëgjova për interesimin e këtij klubi ndaj meje. Tani që gjithçka ka përfunduar, dua të shpagoj sa më parë besimin e bordit drejtues”.
“Në fund, ajo që përcaktoi kalimin tim dhe më bindi për këtë transferim ishin arritjet e mëparshme të këtij klubi të madh, ashtu si edhe emrat e legjendave që kanë luajtur për këtë skuadër”, tha mesfushori i përfaqësueses braziliane.
Ganso do të mbajë fanellën me numër 8 në radhët e ekipit brazilian, ndërsa pritet që të zërë në formacion vendin e Lukas Moura, i cili në janar i bashkohet ekipit të PSZH në Francë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 23 September 2012 12:30