Zëvendëstrajneri i Gallatasarajti, Hasan Shash, ka pranuar se klubi është në një fazë të avancuar të bisedimeve me Didier Drogba, pasi ky i fundit është parimisht dakord të transferohet te kjo skuadër nga Shangai Shenhua në Kinë.
“Drogba është një lojtar i klasit botëror. Unë e di që bordi drejtues është në negociata me të. Besoj se gjithçka do të sqarohet shumë shpejt, por për momentin mund të them se kemi marrë përgjigje pozitive”, tha Shash për mediat turke.
Ndërkohë, disa prej mediave të Turqisë e kanë cilësuar të mbyllur marrëveshjen për transferimin e lojtarit. Sipas rrjetit televiziv kombëtar TRT, lojtari ka një akord me klubin turk për një kontratë 18 mujore e cila pritet të firmoset gjatë kësaj jave.
Nuk bëhet e ditur se cilat janë kushtet ekonomike që kanë bindur sulmuesin të transferohet në Turqi, por mediat angleze insistojnë se gjatë javës së fundit ai ka refuzuar një ofertë nga Çelsi, me Roman Abramoviç që i kishte propozuar të kthehej në skuadër fillimisht për 6 muaj, me mundësin e rinovimit të kësaj kontrate për një tjetër vit.
Me sa mësohet, Drogba ka dashur me çdo kusht një rol protagonisti dhe shpreson që ta bëjë një gjë të tillë te skuadra turke që luan edhe në Ligën e Kampioneve dhe ka shanse reale për të kaluar turin përballë Shalkes. (LajmeShqip.com)
Monday, 28 January 2013 11:04