Ambiciet e Gallatasarajit për t’u konfirmuar si një prej skuadrave më të forta në Evropë dhe për të fituar Ligën e Kampioneve, duket se nuk janë thjesht fjalë marketingu, pasi klubi turk po bëhet gati për dy blerje të tjera të rëndësishme.
Sipas mediave angleze, Gallatasaraj do të kërkojë gjatë verës të marrë Gael Klishi nga radhët e Mançester Sitit dhe Arjen Roben nga Bajern Mynih, për t’ia shtuar një skuadre që ka në përbërje aktualisht futbollistë si Drogba, Shnajder, Jilmaz, Melo, Eboue e Muslera.
27 vjeçari Klishi ka edhe dy vite të mbetura në kontratën e tij me Mançester Sitin, por drejtuesit e Gallatasarajit janë të bindur se me një ofertë prej 10 milion paund, lojtari mund të ndryshojë menjëherë kampionat. Ndërsa për Roben, i cili mendohet se është i padëshiruar nga Pep Guardiola, ata janë gati të shpenzojnë 12 milion paund për ta blerë nga bavarezët në fund të këtij sezoni.
Me afrimin e këtyre dy futbollistëve, Gallatasaraj kthehet me siguri në një prej superfuqive të futbollit evropian, duke garantuar që në sezonet e ardhshme të jetë më me vazhdimësi mes ekipeve më të mira në Ligën e Kampioneve, e pse jo, pretendente për ta fituar atë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 30 April 2013 12:06