Skuadra e Gallatasarajit duket se është më aktivja në merkaton e futbollistëve në Evropë për momentin, ndërsa ka hedhur sytë drejt kampionatit italian. Turqit kërkojnë me çdo kusht futbollistë cilësorë dhe për këtë arsye po bëjnë oferta për disa nga lojtarët më të spikatur të këtij kampionati.
Prej më shumë se dy ditësh, emri që qarkullon kudo si përforcimi i parë i skuadrës turke është ai i Uesli Shnajder, me Interin që ka rënë dakord për transferimin e mesfushorit holandez. Por vetë futbollisti nuk ka marrë ende një vendim të qartë rreth të ardhmes së tij, ndërsa gjatë fundjavës pritet që në Milano të mbërrijë menaxheri i lojtarit. Duke parë se Inter po kërkon ta heqë qafe, mendohet se mesfushori do të kërkojë nga zikaltërit që t’i paguajnë një dëmshpërblim, mundësisht një pjesë të parave që klubi do të përfitojë nga shitja e tij. Megjithatë, ai mbetet në pritje të një oferte më “cilësore” pasi kërkon një rol protagonisti në një klub të madh evropian.
Por Gallatasaraj nuk është ndalur këtu, pasi skuadra turke ka kërkuar një futbollist edhe nga skuadra tjetër e Milanos. Mediat italiane kanë bërë të ditur se disa ditë më parë, Milani ka refuzuar një ofertë prej 15 milion eurosh për mesfushorin Kevin Princ Boateng. Duke përfituar nga pakënaqësia e lojtarit pas shfaqjeve raciste, klubi turk ka bërë menjëherë një ofertë për ganezin, por ka marrë një përgjigje negative nga Milani.
Megjithatë, edhe në këtë rast ka dalë në sipërfaqe një prapaskenë, pasi mediat italiane raportojnë se tashmë është futbollisti që kërkon një rritje rroge në mënyrë që të qëndrojë, duke insistuar për përmirësimin e pagesës aktuale prej 2.5 milion eurosh në sezon. (LajmeShqip.com)
Friday, 11 January 2013 15:04