Transferimi i Uesli Shnajder drejt Gallatasarajit tashmë është vënë në dyshim, jo vetëm sepse lojtari pret një ofertë nga një klub më i rëndësishëm, por edhe sepse turqit kanë kuptuar se kërkesat e tij ekonomike janë të ekzagjeruara. Një fakt të tillë e ka pranuar për mediat edhe vetë zëvendëspresidenti i këtij klubi, Abdullah Kigili, i cili i vlerësoi si “astronomike” kërkesat e holandezit.
Sipas mediave të ndryshme, lojtari pritet të përfitojë rreth 5.3 milion euro në sezon të Gallatasaraj për 3 vitet e ardhshme, ndërsa ka edhe përfitime të tjera në formë bonusesh për ndeshje dhe tituj të fituar apo gola të shënuar.
“Nëse ajo që po lexoj është e saktë, kostoja e Shnajder është njëkohësisht astronomike dhe absurde”, tha Kigili për “Vatan”. “Ku do t’i marrë Gallatasaraj këto para? Ne kemi analizuar të ardhurat e klubit dhe UEFA po i monitoron ato gjithashtu. Kush do të na i japë këto para që t’i investojmë në një lojtar të vetëm? Çdo transferim duhet menduar mirë. Por shifrat për të cilat po dëgjoj këto orë janë thjesht jashtë çdo logjike”, ishte komenti i tij.
Këto fjalë të drejtuesit të Gallatasarajit si dhe deklaratat e vetë lojtarit që tha se çështja me klubin turk nuk ishte mbyllur përfundimisht, bënë që të lindin dyshime për arritjen e marrëveshjes, e cila u publikua si e kryer nga mediat turke gjatë ditës së djeshme. (LajmeShqip.com)
Sunday, 13 January 2013 10:32