Adriano Galiani ka shpjeguar arsyen pse dështoi kthimi i Rikardo Kaka në radhët e Milanit gjatë merkatos së janarit, duke insistuar se “lakmia” e Realit me një kërkesë të lartë për shitjen e futbollisti kishte bërë që të dështonte marrëveshja e mundshme.
Braziliani pritej të kthehej në klubin ku u bë i famshëm, në kontrast të dukshëm me eksperiencën e tij te madrilenët ku është padyshim dështimi më i bujshëm i historisë së këtij klubi.
Për Galianin, është faji i Realit që marrëveshja nuk përfundoi me sukses, pavarësisht insistimit deri në ditën e fundit të merkatos së janarit.
“Historia rreth Kaka është një kapitull i mbyllur për mua”, tha ai për “Corriere Dello Sport”.
“Real Madrid kërkonte 18 milion euro, një shumë që duke parë moshën e futbollistit dhe kërkesat për rrogën, e bënte marrëveshjen të parealizueshme”, u shpreh drejtuesi i Milanit.
Ndonëse kjo shifër mund të cilësohet e lartë për një futbollist 30 vjeçar që ka kaluar dëmtime të shumta gjatë viteve të fundit, ajo mbetet shumë e vogël po të krahasohet me 68 milion euro që pagoi Real Madrid për ta marrë nga Milani në vitin 2009. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 February 2013 10:17