Zlatan Ibrahimoviç nuk do të lëvizë nga Milani për të shkuar te Mançester Siti. Ky është premtimi i Adriano Galianit, i cili ka folur për mediat italiane rreth kësaj çështje që ka pushtuar faqet e para të shtypit sportiv.
“Nuk është e vërtetë që Mançester Siti na ka kërkuar Ibrahimoviç. Ai do të qëndrojë me ne për të fituar Ligën e Kampioneve”, ishin fjalët e tij, duke iu referuar pikërisht trofeut që sulmuesi ndjek prej shumë kohësh por që nuk ka arritur të fitojë asnjëherë në karrierën e tij.
Më pas ai ka folur pikërisht për finalen e këtij turneu, ku është i ftuar nga UEFA për të marrë pjesë në ndeshjen mes Bajernit dhe Çelsit.
“Askush nuk e kishte imagjinuar që këto dy skuadra do të shkonin në finale, duke parë shortin gjysmëfinal, por Liga e Kampioneve është edhe kështu, ndaj duhet të falënderojmë UEFA-n që e ka kthyer këtë turne në një eveniment planetar”.
“A kemi keqardhje për edicionin tonë? Sigurisht, kemi patur shumë dëmtime por gjithsesi luftuam për të ecur sa më shumë në këtë turne, duke qenë skuadra e fundit italiane që u eliminua. Edhe në kampionat kemi luftuar deri në javën e parafundit ndaj them se e kemi përballuar më së miri këtë sezon. Nuk dua të dëgjoj kritika për Alegrin pasi ai nuk ka faj në asgjë”, u shpreh Galiani që në këtë mënyrë ka konfirmuar trajnerin në stolin e kuqezinjve. (LajmeShqip.com)
Saturday, 19 May 2012 13:20