Adriano Galiani ka bërë të qartë se mendon që Karlos Tevez do të zgjedhë Milanin para Juventusit. Sulmuesi argjentinas do të largohet nga Mançester Siti dhe për drejtuesin e klubit italian, zgjedhja e tij do të jetë te kuqezinjtë, një ekip që e kërkoi me ngulm një vit e gjysmë më parë.
“Karlitos nuk do të më tradhtojë”, tha Galiani para se t’i tregonte pjesërisht gazetarëve një SMS nga menaxheri i argjentinasit, Kia Jorabçian.
“Më pëlqen shumë Karlos, pasi ai është një lojtar “i ndyrë”. Rroga e tij? Nuk do të kemi asnjë problem me Tevez”, ishin fjalët e Galianit, që në fakt dukej shumë i bindur se futbollisti do të firmoste me klubin e tij.
Mediat italiane spekulojnë se Tevez do të vijë për të zënë vendin e Stefan El Sharauit, i cili do të përfundojë te Mançester Siti. Sipas informacioneve paraprake, mendohet që Siti t’i japë ekipit italian 30 milion euro dhe Tevez për të marrë sulmuesin e ri italian.
Tevez ka shënuar 73 gola në 138 ndeshje me Mançester Sitin, por ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij, ndaj do të largohet gjatë merkatos së verës, pasi klubi nuk dëshiron ta humbasë me parametër zero. (LajmeShqip.com)
Monday, 10 June 2013 22:20