Sulei Muntarin e ndjekin telashet. Pas dëmtimit të rëndë të pësuar gjatë pushimeve duke luajtur me shokët e tij, këputje e ligamenteve të gjurit, Milani ka vendosur t’i përgjysmojë rrogën si dënim ndaj kësaj pakujdesie.
Përgjysmimi i rrogës do të thotë se nga 3 milionë eurot në vit që ka në kontratë, ai do të përftojë vetëm 1.5 milionë euro, pasi do të qëndrojë pushim për të paktën 6 muaj. Galiani është detyruar të ndërhyjë në merkato, duke marrë huazim nga Chenoa mesfushorin Konstant.
Sipas “Corriere dello Sport”, Galiani është inatosur shumë me futbollistin ganez për atë që ka ndodhur, pasi normalisht lojtarët e dinë që duhet të jenë shumë të kujdesshëm sa herë që vendosin të luajnë qoftë edhe për qejf.
“Ky është një rekord i pabesueshëm, nuk kishte ndodhur kurrë që mes kaq shumë dëmtimesh, të shfaqej një edhe gjatë pushimeve verore”, ishte komenti i administratorit të deleguar të kuqezinjve, të cilit nuk i ka pëlqyer aspak kjo situatë.
Sipas asaj që është mësuar, Muntari ka patur probleme të vogla në miqësoren me kombëtaren e tij por e ka nënvlerësuar situatën. Ndërsa pak ditë më vonë, duke luajtur me miqtë në plazh, ka marrë goditjen që do e lërë jashtë fushave për një periudhë të gjatë dhe do t’i heqë një alternativë të rëndësishme trajnerit Alegri për pjesën e parë të sezonit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 24 June 2012 15:50