Shtatë klube të kategorisë së parë rumune janë pranë kolapsit financiar për shkak të borxheve të mëdha që kanë marrë për të siguruar mbijetesën e tyre. Ky është paralajmërimi që ka bërë presidenti i Ligës Rumune të Futbollit, Dumitru Dragomir.
Shumë prej klubeve në këtë shtet përballen me vështirësi të konsiderueshme infrastrukturore dhe kanë vështirësi të përmbushin detyrimet që ka caktuar UEFA si nga ana administrative, strukturore apo ligjore.
“Janë shtatë skuadra të cilat janë pranë kolapsit dhe mund të zhduken. Borxhet e tyre janë aq të mëdha sa edhe paratë nga e drejta televizive nuk mund t’i shpëtojnë”, tha Dragomir për mediat vendase, por pa përmendur emrat e këtyre klubeve.
Dinamo Bukuresht, 18 herë kampione e Rumanisë, si dhe rivalët e përhershëm të Rapid Bukuresht janë dy nga nëntë skuadrat të cilat përballen aktualisht me ndëshkime nga UEFA, për shkak të mospagesave të detyrimeve financiare ndaj skuadrave të tjera, stafit të tyre apo autoriteteve financiare në Rumani.
“Shpresojmë që dikush të na tregojë se çfarë po ndodh dhe çfarë do të bëhet me klubet dhe me ne”, tha kapiteni i Rapid, Daniel Pançu. Sipas mediave vendase, kjo skuadër ka disa muaj që nuk u ka paguar rrogat lojtarëve të saj. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 04 December 2012 10:45