Elbasan- Kombëtarja e Shqipërisë së futbollit të sallës do të zhvillojë në orën 21.00 të mbrëmjes së sotme në ambientet e pallatit “Tomorr Sinani”, ndeshjen miqësore të kthimit me ekipin e Kosovës, me të cilin pak javë më parë u ndesh në Prishtinë dhe Ferizaj.
Për këtë ndeshje miqësore me ekipin e Kosovës në sallë do të luajnë futbollistët Klodian Rrapi, Hektor Psatha, Arjan Bllumbi, Alis Paçrami, Florion Manastirliu, Indrid Llagami, Laurent Surjoti, Fisnik Bllaca, Julind Thanasi, Zamir Lumanaj, Arjan Nikolli, Besian Dalipi, Roald Halimi, Rigers Sina, Artan Golemi, Fatos Behari dhe Arlind Begaj.
Trajneri i kombëtares së futobollit të sallës Alban Hasani tha për ATSH-në se, “që në fillim javë ekipi është stërvitur në terrenet sportive të qytetit të Elbasanit.
Këto ndeshje realizohen në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror të rradhës i cili do të zhvillohet në Talin të Estonisë gjatë periudhës 19-23 Tetor 2011″.
Sipas tij, ekipi është duke përzgjedhur futbollistët më të mirë të mundshëm në grupin aktual dhe synon një paraqitje sa më dinjitoze në këto gara.
Në mbarim të këtyre ndeshjeve trajneri Alban Hasani do bëjë seleksionimin e futbollistëve të grumbulluar dhe mes tyre do të përzgjedhë 14 më të mirët.
Shqetësimi i vetëm për trajnerin e përfaqësueses së Shqipërisë në futbollin e sallës është forma aktuale e sportistëve e cila sipas tij nëse do të kishin filluar më herët garat zyrtare do të kishte nivel edhe më cilësor sesa aktualisht.
Thursday, 13 October 2011 15:08