Tiranë – Kombëtarja Shqiptare e Futbollit hyn në mes të 50 skuadrave më të mira të botës.
Kjo është hera e parë në histori që kuqezinjtë ngjiten kaq lart, kur tashmë kemi lënë prapa Bjellorusinë. Kurrë më parë nuk ka mundur të mbërrijë kaq lart.
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka bërë kërcimin më të madh të të gjitha kohëve, duke u ngjitur në vendin e 50-të në renditjen botërore të ekipeve përfaqësuese, listë e ndërtuar nga FIFA.
Me 100 pikë të fituara pas suksesit 1:0 ndaj Bjellorusisë në Tiranë në Euro 2012, skuadra kuqezi fitoi 23 vende, duke i bërë vend vetes për herë të parë në mesin e 50 ekipeve të para të botës, një renditje aspak për t’u hedhur poshtë në mes 202 shteteve që janë anëtare të FIFA-s.
Vetëm Izraeli ka mundur të përparojë më shumë sesa Shqipëria muajin e fundit, me 25 vende ndaj 23 të skuadrës së Kuzhes. Shqipëria është tashmë e katërta në renditje ndër përfaqësueset e grupit tonë eleminator të Euro 2012, duke lënë prapa Bjellorusinë, e cila ka zbritur 16 hapa duke qenë tashmë e 53-ta në rruzull.
Franca, që ka humbur një pozicion, renditet e 19-ta, Rumania, që ka përparuar me 11 shkallë, është e 41-ta, ndërsa Bosnjë-Hercegovina gjithashtu ka pasur ecuri pozitive me 12 vende dhe mban tani vendin e 44-të.
Rekordi i mëparshëm, i kuqezinjve ishte vendi i 58-të arritur në nëntor të vitit të kaluar.
Në renditjen e përgjithshme botërore, vazhdon të kryesojë Spanja, e ndjekur nga Holanda, ndërsa Brazili është ngjitur i treti që nga vendi i 5-të, duke lënë prapa Gjermaninë, Argjentinën dhe Anglinë. Italia fiton 2 vende duke qenë tani e 9-ta.
Wednesday, 13 April 2011 14:26