Spanjollët nuk janë dorëzuar dhe kërkojnë me çdo kusht që titulli kampion i Formula 1 t’i shkojë Fernando Alonsos. Kjo është arsyeja pse në këtë vend ka filluar një fushatë e mirëfilltë në rrjetet sociale për të shtyrë Ferrarin të apelojë rezultatin e garës së fundit në Brazil, duke akuzuar për parregullsi kampionin e botës Sebastian Vetel.
Sipas spanjollëve, kampioni i trefishtë i botës, përveç parakalimit të palejuar ndaj Kobajashit gjatë garës kur ishin flamujt e verdhë, të kapur nga kamerat televizive, e ka përsëritur një gjë të tillë edhe me një nga makinat Toro Roso dhe një HRT.
Objektivi i kësaj fushate është që falë një apelimi të mundshëm, Vetel të penalizohet me 20 sekonda në renditjen përfundimtare të garës, një dënim që jepet sa herë që ka probleme që evidentohen pas përfundimit. Këta 20 sekonda janë të mjaftueshëm që Vetel të bjerë nga vendi i 6-të në të 8-tin, duke humbur pikët që i dhanë titullin kampion të botës, i cili do t’i shkonte Fernando Alonsos.
Megjithëse Ferrari deri tani nuk është dëgjuar, një sinjal të parë e ka dhënë vetë Fernando Alonso, nëpërmjet një mesazhi të shkruar në Twitter. “Nuk bëj mrekulli. Bëj që mrekullitë e mia të jenë rregullat korrekte”, ishte komenti i shfaqur në adresën e Alonso, një thumbim i drejtpërdrejtë ndaj Vetel që menjëherë pas titullit kishte akuzuar të gjithë kundërshtarët për manovra të parregullta kundër tij. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 November 2012 10:01