Sulmuesi uruguaian i Internacional, Diego Forlan, më në fund ka folur hapur për të kaluarën e tij aspak të lumtur te Interi, ku zhgënjeu plotësisht në të vetmin vit te zikaltërit. Por sipas tij, pjesa më e çuditshme e kësaj eksperience negative ishte mënyra se si ishte trajtuar nga zikaltërit, sidomos me faktin që nuk e kishin lejuar as t’i jepte lamtumirën shokëve të skuadrës.
“E dija që do të largohesha nga Interi. Dëshiroja t’i jepja lamtumirën shokëve të skuadrës, por askush nuk pranonte telefonatat e mia”, tregoi 33 vjeçari për “”Four Four Two”.
“U mundova të kontaktoja menaxherin e skuadrës, Ivan Kordoba, por një zyrtar i klubit më tha një idiotësi se si e nesërmja ishte një ditë e vështirë që unë të shkoja në klub dhe t’i jepja lamtumirën të gjithëve. Mesazhi ishte i qartë. Unë nuk isha më i mirëpritur te Interi”.
Por tani lojtari duket se ka gjetur përsëri shkëlqimin e tij në Brazil, ku me Internacional po kthehet gjithnjë e më shumë në protagonist.
“Futbolli vazhdon të jetë jeta ime. Mund të shoh pas me krenari në karrierën time që ka qenë shumë e mirë me mua, pasi kam arritur të luaj përkrah emrave si Suarez, Aguero, Van Nistelroi, Rikelme e Damiao, duke u drejtuar nga trajnerë si Ferguson e Pelegrini”, përfundoi Forlan. (LajmeShqip.com)
Sunday, 12 May 2013 11:07