Vizita e fundit e yllit të Barcelonës, Leo Messi në shtetin e Gabonit është dënuar nga Fondacioni për të Drejtat e Njeriut duke e dobësuar mjaft shumë reputacionin e tij humanitar.
Argjentinasi ishte fotografuar me diktatorin e Gabonit, Ali Bongo pasi ka ndihmuar që të ngritë gur-themelin për një stadium që do të ndërtohet për finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës të vitit 2017. Ai gjithashtu kishte vizituar një spital dhe një restorant të familjes Bongo.
Ai është kritikuar nga fondacioni për shkak se ka përkrahur një njeri i cili ka lënë më tepër se 20 për qind të popullatës së tij të jetojnë në varfëri të madhe në më pak se 2 dollarë në ditë.
“Duke ofruar shërbimet e tij familjes Bongo nga Gaboni, Lionel Messi ka dëmtuar rëndë reputacionin e tij për bamirësi. Ndërsa Messi pretendon që të mbështesë të drejtat e fëmijëve dhe madje është ambasador në UNICEF për të promovuar edukimin e fëmijëve, ai ka miratuar një regjim kleptokratik që refuzon të hetojë vrasjet rituale të fëmijëve në Gabon”, ka thënë presidenti i Fondacionit për të Drejtat e Njeriut, Thor Halvorssen.
Halvorssen më tutje ka shtuar: “Udhëtimi i Messit është pjesë e kampanjës së familjes së Bongos për të promovuar Kupën e Kombeve të Afrikës 2017, në të cilën
Gaboni do të ketë shpenzime të mëdha, pavarësisht nga fakti që familja e Bongos ka lënë më shumë se 20 për qind të popullsisë të jetojë në më pak se 2 dollarë në ditë”.
Messi gjithashtu për këtë vizitë më parë ishte akuzuar se ka marrë një shumë të madhe parash në mënyrë që ta promovojë këtë vend.
Monday, 03 August 2015 13:02