Flamurtari ka realizuar misionin e hakmarrjes ndaj Skënderbeut duke mundur 3-0 skuadrën korçare në ndeshjen mes këtyre dy skuadrave në Kupën e Shqipërisë. Takimi që pritej të kishte rivalitet të lartë edhe për shkak të përplasjeve të sezonit të kaluar e incidenteve në takimin e parë, në fakt ka folur vetëm për vendasit të cilët kanë dominuar dhe kanë marrë një rezultat të rëndësishëm për kalimin në gjysmëfinalet e turneut.
Si Flamurtari, ashtu edhe Skënderbeu janë në kuotën e 8 pikëve por për të përcaktuar përfundimisht nëse të dy ekipet kalojnë turin, do të priten rezultate e ndeshjeve të fundit. Shkak është bërë fitorja e Laçit ndaj Vllaznisë me rezultatin 1-0. Me këtë fitore laçianët mbeten në garë në kuotën e 5 pikëve, aq sa edhe Vllaznia. Por nëse Vllaznia mund të kërkojë mrekullinë para tifozëve të saj në ndeshjen e fundit përballë Flamurtarit, Laçi pritet ta ketë thuajse të pamundur përballë korçarëve në transfertë.
Ndërkohë, Grupi A ka konfirmuar edhe matematikisht emrin e Tiranës si gjysëmfinalistja e parë e këtij edicioni. Bardhebluve u ka mjaftuar barazimi 1-1 me Bylis për të siguruar pjesëmarrjen në fazën tjetër të turneut pasi janë ngjitur në kuotën e 11 pikëve. Bylis ka 6 pikë pas këtij barazimi, po ka humbur vendin e dytë që tashmë mbahet nga Kastrioti me 7 pikë. Krutanët kanë mundur me rezultatin 2-1 Kamzën dhe janë të favorizuar për të kaluar turin edhe për faktin se luajnë ndeshjen e fundit përballë Tiranës që nuk ka asnjë motiv përveçse të aktivizojë ata futbollistë që kanë luajtur më pak në këtë pikë të sezonit. (LajmeShqip.com)
Grupi A
Kamza-Kastrioti 1-2
Karapici 43′ / Cetkoviç 19′, Agolli 56′
Tirana-Bylis 1-1
Aziri 50′ / Abazaj 34′
Renditja
Tirana 11, Kastrioti 7, Bylis 6, Kamza 2.
Grupi B
Flamurtari-Skënderbeu 3-0
Pejiç 17′, Veliu 73′, Progni 78′
Laçi-Vllaznia 1-0
Vucaj 44′ (11m)
Renditja
Flamurtari 8, Skënderbeu 8, Vllazia 5, Laçi 5.
Wednesday, 14 March 2012 17:49