UEFA po mendon të vërë në zbatim rregullin që fituesi i Europa League të gëzojë të drejtën të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve në edicionin pasardhës, duke filluar që nga sezonin 2015-2016.
Ky ndryshim pritet të rritë disi prestigjin e turneut të dytë për nga rëndësia të UEFA-s, e cila ka mbetur në hije duke mos iu afruar kurrsesi tërheqjes së Ligës së Kampioneve, turne i pakrahasueshëm për të ardhura, besueshmëri dhe shikueshmëri në vitet e fundit.
Pritet që ky vendim të miratohet nga Kongresi vjetor i UEFA-s të premten, para finales së Ligës së Kampioneve, në Londër. Ky vendim ndoqi disa muaj radhazi me diskutime mes klubeve elitare evropiane dhe zyrtarëve më të lartë të UEFA-s, përfshirë edhe presidentin Mishel Platini.
Turneu deri tani shihej si një aktivitet ngushëllimi, por me këtë lëvizje mund të bëhet tërheqës përsëri pasi klubet e mëdha do t’i japin interesin që meriton, duke pasur të qartë se në fund do të kenë garancinë e pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve. Klubet e mëdha, zakonisht përdorin skuadrat e rezervave kur përfundojnë në Europa League dhe kjo ka sjellë eliminimin e tyre pa shumë pretendime që në fazat e hershme të turneut. (LajmeShqip.com)
Thursday, 23 May 2013 19:12