Mediat italiane kanë bërë të ditur se Fiorentina ka refuzuar ofertën e parë të Juventus për Stevan Jovetiç, duke i kërkuar kampionëve të Italisë të përfshijnë edhe të riun Luka Marrone në ofertën e tyre.
Kampionët e Italisë kanë bërë një ofertë prej 13 milionë eurosh si dhe ofrojnë dy lojtarët Alesandro Matri e Mikele Pacienca, por Fiorentina e hodhi poshtë atë, pasi kërkon të përfitojë të paktën 30 milionë euro për futbollistin ose të sigurojë sa më shumë lojtarë të rinj, të denjë për ta zëvendësuar.
Juventusi atëherë vendosi të bënte një lloj tjetër ofertë, duke vënë në tavolinë 22 milion euro dhe 50% të kartonit të Marrone, por trajneri Montela i Fiorentinës vendosi të refuzonte edhe këtë lloj ofertë që i bënë bardhezinjtë.
Konte nuk dëshiron të heqë dorë krejtësisht nga Marrone, i cili është një nga yjet e kombëtares U-21 të përfaqësueses italiane dhe bardhezinjtë do të dëshironin që ai të bënte pak eksperiencë në një skuadër tjetër para se të kthehej të luante përsëri për ta.
Juventusi ka braktisur të gjitha pistat e tjera për momentin, në mënyrë që të sigurojë firmën e Jovetiç, pasi edhe ky i fundit do të ishte dakord me një transferim të tillë. Malazezi ka shprehur dëshirën që të luajë dhe të jetë protagonist në Ligën e Kampioneve, një objektiv që mund të realizojë duke luajtur me Juventusin. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 July 2012 16:55