Fiorentina është shumë pranë marrëveshjes për një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos së janarit në Itali. Klubi i Firences është shumë pranë mbylljes së akordit për kthimin në Itali të sulmuesit Xhuzepe Rosi, nga radhët e Vijareal. Lojtari pritet të vijë në Itali në fundjavë dhe mund të hedhë firmën në kontratën e re duke filluar nga e hëna.
Dëmtimi i gjatë i futbollistit, që pritet të kthehet në fushë në fundin e marsit apo në fillimin e prillit, nuk ka penguar klubin italian që të vijojë bisedimet me skuadrën e tij aktuale, spanjollët e Vijareal, të cilët duan ta shesin këtë futbollist. Mendohet se akordi bën fjalë për pagesën e menjëhershme të 10 milion eurove, ndërsa janë edhe 6 milion të tjera që do të paguhen brenda 4 viteve të ardhshme në varësi të objektivave të arritur nga skuadra italiane dhe paraqitjes së lojtarit.
Për këtë të fundit është gati një kontratë afatgjatë, 4-5 vjeçare, nga e cila pritet të përfitojë 1.5 milion euro neto në sezon. Rosi është një nga talentet më premtues të futbollit italian dhe ishte titullar në radhët e kombëtares italiane të futbollit deri dy vite më parë, kur filloi një kalvar i gjatë dëmtimesh që e kanë jashtë fushës së lojës dhe ndërprenë karrierën e tij pikërisht në momentin kur për futbollistin filluan të interesoheshin klubet më të njohur të futbollit evropian. (LajmeShqip.com)
Friday, 04 January 2013 09:38