Kapiteni i Gjermanisë, Filip Lahm, ka sulmuar ashpër organizatorët e Euro 2012, Ukrainën, për trajtimin që po i bëhet ish-kryeministres së burgosur, Julia Timoshenko. Sipas tij, situata politike në një vend kudo të zhvillohet ky aktivitet futbollistik, është mjaft shqetësuese.
“Nuk shoh që parimet e mia mbi të drejtat themelore demokratike, të drejtat e njeriut, lirisë personale apo lirisë së shtypit, të përfaqësohen gjëkundi në situatën politike aktuale në Ukrainë”, tha ai për revistën “Der Spiegel”. “Kur shoh se si regjimi po trajton Julia Timoshenkon, mendoj se nuk ka të bëjë askund me imazhin tim për demokracinë”.
Lahm i bëri thirrje edhe presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, t’i bëjë presion qeverisë së këtij vendi ku do të organizohet Euro 2012 pas rreth një muaji.
“Mendoj se ai duhet të mbajë një qëndrim dhe jam kurioz të dëgjoj se çfarë ka për të thënë. Futbolli është shumë i rëndësishëm që të qëndrojë indiferent dhe i paprekur nga kjo situatë. Kur lexova raportet e para rreth situatës shëndetësore të Timoshenkos, isha i ndërgjegjshëm se cilën rrugë do të merrte situata”, tha ai.
Gjermania, një prej favoritëve për të fituar Euro 2012, do të luajë ndeshjet e saj në grup në Ukrainë. Të dy ndeshjet kundër Portugalisë dhe Holandës do të luhen pikërisht në Karkov, qytetin ku gjendet ish-kryeministrja e Ukrainës, e cila po vuan dënimin me 7 vite burg për abuzim me pushtetin. (LajmeShqip.com)
Sunday, 06 May 2012 10:51